Bajrami i përgjigjet Muratit: LVV e ka kthyer vendin në kohën para UNMIK-ut, sot Kosova është peng i partisë në pushtet

Para 11 muaj

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të LVV-së, Hekuran Murati, i cili propozimin e LDK-së për një qeveri tranzicionale e quajti “kthim në kohën e UNMIK-ut”.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami u shpreh se është pikërisht LVV ajo që e ka kthyer vendin në kohët para UNMIK-ut, duke theksuar se atëherë Kosova nuk përballej me sanksione ndërkombëtare, zyrtarët respektonin drejtësinë, dhe politikanët që shkelën Kushtetutën jepnin dorëheqje.

“Në kohën e UNMIK-ut: nuk ka pasur sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët shtetërorë janë përgjigj institucioneve të drejtësisë e nuk i kanë mohuar ato, politikanët që kanë shkelur Kushtetutën kanë dhënë dorëheqje, nuk kanë marrë institucionet peng. Kuvendi nuk është mbledhur 12 herë me radhë për të dështuar në zgjedhjen e kryetarit”, ka shkruar Bajrami.

Ajo akuzoi LVV-në se po e mban shtetin peng për shkak të interesave partiake dhe personale, duke theksuar se Kosova është në krizë politike për shkak se partia në pushtet nuk po arrin të sigurojë shumicën dhe nuk pranon të largohet nga pushteti.

“Mos e pranoni propozimin tonë, është e drejtë e juaja. Ne nuk imponojmë, ne kemi propozuar zgjidhje. Urdhëro, bëjeni shumicën e mos u tallni me shtetin dhe me qytetarët”, përfundoi ajo.

Bajrami theksoi gjithashtu se propozimi i LDK-së për një qeveri tranzitore përmes marrëveshjes politike nuk është kundër askujt, por është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.