Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), pas njoftimit se më 30 korrik përfundon periudha e furnizimit të garantuar me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (KEK-u).
Sipas Bajramit, thirrja që bizneset të lidhin kontrata me operatorë privatë është skandaloze, duke qenë se vetë KEK-u ende nuk ka faturuar muajin qershor, çka, sipas saj, e lë sektorin privat në pasiguri të thellë.
“A keni ju ndonjë përgjegjësi për këtë? Çfarë thotë udhëzuesi juaj për faturimin?”, ka shkruar Bajrami, duke akuzuar ZRrE-në për neglizhencë të realitetit të bizneseve vendore.
Ajo shtoi se që nga 1 qershori, kur bizneset u detyruan të kalojnë në treg të lirë, importi i energjisë është rritur tetëfish, ndërkohë që këto ndërmarrje ende nuk e dinë se sa do të jenë faturat për muajt qershor dhe korrik.
Paralajmërim për pasoja të rënda ekonomike
Bajrami paralajmëroi se pas datës 1 gusht, të gjitha bizneset që nuk do të kenë kontrata të lidhura me furnizues privat, rrezikojnë të mbesin pa rrymë dhe të mbyllen, duke shtuar se kjo mund të çojë në humbjen e mbi 100 mijë vendeve të punës.
“Ju po injoroni faktin se fatura e qershorit dhe ofertat nga operatorët privatë janë faktorët vendimtarë nëse këto biznese do të vazhdojnë operimin apo jo.”
Dyshime për vendime të padrejta dhe thirrje për hetim
Deputetja e LDK-së ka hedhur dyshime edhe mbi vendimet e ZRrE-së, duke thënë se pavarësisht pretendimeve se gjykata i ka dhënë të drejtë, vendimet e fundit të Gjykatës Komerciale janë në favor të bizneseve, jo të ZRrE-së.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë hetim ndaj të gjithë zinxhirit vendimmarrës në sektorin e energjisë, duke ngritur dyshime për lidhje të mundshme mes tregtarëve të energjisë dhe pushtetit:
“Nuk mundemi me sakrifiku krejt shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjeve të tyre me pushtetarë.”
