Babai raporton zhdukjen e të birit 14-vjeçar – dyshime për rrëmbim dhe ndikim nga të rritur

Para 8 muaj

Një 14-vjeçar nga Rahoveci është raportuar si person i zhdukur nga familja e tij, ndërsa dyshimet e para janë se ai mund të ndodhet në shoqëri të dy personave madhor në një vilë jashtë qytetit.

Burime të besueshme nga policia kanë bërë të ditur për Sinjalin se rasti është paraqitur më 9 gusht 2025, rreth orës 15:00, nga babai i të miturit, Leonard Isma, rreth 44 vjeç. Ai ka deklaruar se djali i tij, me inicialet L.I., ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më që nga ajo ditë.

Sipas të njëjtave burime, familja ka arritur të identifikojë në rrjetin social Snapchat një video, ku i mituri shihet në një dhomë me dy persona të rritur, që dyshohet të jenë Luan Shabani dhe Bezad Shabani. Babai ka raportuar se kishte kontaktuar për herë të fundit me të birin më 10 gusht, rreth orës 12:30, kur ai i kishte thënë se do të kthehej atë ditë dhe se nesër do të udhëtonin së bashku për në Slloveni, ku jetojnë aktualisht – por ky kthim nuk ka ndodhur.

Në momentin e largimit, i mituri ishte i veshur me një maicë të zezë, pantallona të shkurtra të tipit farmerka, ndërsa nuk dihet çfarë kishte veshur në këmbë. Ai ka flokë kafe, sy të kaltër, gjatësi rreth 160 cm dhe peshon rreth 65 kg.

Prokurori kujdestar është njoftuar menjëherë për rastin dhe ka urdhëruar hapjen e procedurave zyrtare nën dyshimin “Person i zhdukur”. Aktualisht, hetimet janë duke vazhduar dhe autoritetet janë në kërkim të informatave që mund të ndihmojnë në gjetjen e 14-vjeçarit.