Azem Vllasi: Qytetarët duhet të rrethojnë Kuvendin dhe të bllokojnë deputetët deri në zgjedhjen e kryetarit

Para 0 vit

Juristi i njohur Azem Vllasi ka komentuar krizën politike në Kuvendin e Kosovës, ku ende nuk është arritur zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, nëse vazhdon dështimi për të arritur një marrëveshje, qytetarët duhet të reagojnë me presion, duke u mbledhur në numër të madh për të rrethuar Kuvendin dhe bllokuar deputetët që të mos dalin deri sa të zgjidhet kryetari.

Vllasi, i ftuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, tha se kjo është mënyra e vetme për të ruajtur vullnetin e votuesve dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve të shtetit. Ai theksoi se ky aksion duhet të jetë paqësor dhe pa dhunë, por me një mesazh të qartë për deputetët që po luajnë me interesat e qytetarëve.

“Po luajnë kështu deputetët e parlamentit me vullnetin e votuesve në dëm të popullit dhe shtetit. Duhet të mblidhen disa mijëra qytetarë dhe të rrethojnë Kuvendin, duke e bllokuar deri sa të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Nëse deputetët nuk kryejnë detyrën e tyre, duhet të dërgohet mesazhi se ata nuk do të lejohen të dalin derisa të zgjidhet kryetari,” tha Vllasi.

Ai përfundoi duke theksuar se, nëse nuk ka marrëveshje mes deputetëve, ngritja e qytetarëve në Kuvend është një mundësi që nuk duhet humbur.