Analisti Azdren Shala ka deklaruar se intervistimi pesëorësh i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nga Prokuroria Speciale, nuk lidhet vetëm me rastin e njohur të fabrikës së mbetjeve shtazore. Sipas tij, Prokuroria është duke hetuar një varg shkeljesh brenda katër viteve të fundit në këtë ministri.
“Nuk është vetëm një rast. Prokuroria po i heton të gjitha shkeljet që janë bërë në këto katër vite në Ministrinë e Bujqësisë,” tha Shala në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ai përmendi një rast konkret ku një kompani po operon pa kontratë në pronë të ministrisë, ndërsa dy të tjera janë bllokuar.
“Tri kompani operojnë në prona të Ministrisë së Bujqësisë, dy prej tyre janë ndalur me shirita, njëra jo. Ajo që nuk është ndalur, sipas zyrtarit të ministrisë, nuk ka kontratë. Nëse ka kontratë dhe zyrtari nuk e di, atëherë le të dalë Faton Peci dhe të sqarojë këtë,” shtoi ai.
Shala kritikoi edhe qëndrimin e Qeverisë Kurti dhe mbështetjen publike që, sipas tij, i jepet Pecit nga figura të larta politike.
“Më irriton mënyra si del kabineti i Kurtit në mbrojtje të Pecit. Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla – të gjitha dalin në një vijë. Mendoj që Kurti po e përdor këtë rast për të argumentuar se Prokuroria është e kapur,” theksoi Shala.
Ai përfundoi duke paralajmëruar një “gjyq popullor” përkrah atij institucional: “Albin Kurti është kupola e krejt kësaj. Ky do të jetë rasti që ai ta forcojë narrativen e tij – që drejtësia po i ndjek padrejtësisht njerëzit e tij.”
