AVONET padit Qeverinë në detyrë për projektligjin e ndarjeve buxhetore 2026

Para 5 muaj

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka njoftuar se sot do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër vendimit të Qeverisë në detyrë për miratimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Sipas njoftimit, bashkë me padinë do të dorëzohet edhe kërkesa për vendosjen e një mase të përkohshme sigurie, për të pezulluar zbatimin e vendimit derisa të marrë vendim gjykata.

Dorëzimi i dokumenteve pritet të bëhet në Pallatin e Drejtësisë, në Departamentin për Çështje Administrative, duke filluar nga ora 10:30.

Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET-it, Kenan Gashi, do të mbajë deklaratë për media, ku do të shpjegojë arsyet e kësaj nisme ligjore.

AVONET thekson se qëllimi i padisë është të sigurohet respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Qeverinë, si dhe parimeve të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.