Avokati i Popullit synon vizitë në Hagë për të monitoruar gjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Para 1 vit

Pavarësisht kufizimeve të mandatit të tij ndaj Dhomave të Specializuara, Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka theksuar angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zëdhënësi i institucionit, Petrit Çollaku, në një prononcim për indeksonline bëri të ditur se këto kufizime burojnë nga baza ligjore dhe ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e kësaj gjykate.

“Avokati i Popullit ka kufizim të mandatit në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe nga ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila i ka hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate,” u shpreh Çollaku.

Deklaratat e tij vijnë pas paralajmërimeve nga avokatja e Jakup Krasniqit se refuzimi i lirimit të përkohshëm mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të çojë në një dënim të padrejtë. Në lidhje me këtë, Çollaku theksoi se institucioni që përfaqëson nuk komenton deklaratat e palëve gjatë procesit gjyqësor, por insiston në respektimin e standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.

“Avokati i Popullit ka shprehur qëndrimet e tij referuar kohëzgjatjes së procesit, barazisë së armëve, kohëzgjatjes së paraburgimit dhe të drejtave të tjera që i kanë të akuzuarit në procedurat penale,” shtoi ai.

Gjithashtu, u bë e ditur se Avokati i Popullit, Naim Qelaj, kishte planifikuar një vizitë në Dhomat e Specializuara gjatë këtij viti për të monitoruar seancat dhe për të vizituar të paraburgosurit, por kjo vizitë është shtyrë për më vonë për shkak të nevojës për qartësime rreth mandatit dhe kushteve të vizitës.

“Qelaj kishte planifikuar që të monitorojë drejtpërdrejtë disa seanca për aq sa e lejon koha, dhe të takojë edhe kryetaren e Gjykatës për të shprehur opinionet e tij lidhur me çështjet që konsideron se mund të cenojnë standardet e një gjykimi të drejtë,” tha Çollaku.

Në një kohë kur proceset në Hagë vazhdojnë, Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se pavarësisht kufizimeve ligjore, mbetet thelbësore që çdo procedurë të zhvillohet në përputhje me parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtat e të akuzuarve të respektohen plotësisht.