Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë nga ZRRE-ja

Para 0 vit

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e menjëhershëm të vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, deri në përfundimin e hetimeve që lidhen me ankesat e shumta të qytetarëve.

Në një njoftim zyrtar, institucioni thekson se vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke prekur në mënyrë të veçantë grupet më të cenueshme të shoqërisë, përfshirë familjet që jetojnë me asistencë sociale.

“Ky vendim rëndon barrën ekonomike mbi qytetarët që tashmë përballen me vështirësi të mëdha financiare. Rritja e çmimit të energjisë duhet të shoqërohet me një proces të plotë të konsultimit publik dhe vlerësim të ndikimit social,” thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të shqyrtojnë me kujdes ankesat e qytetarëve dhe të sigurojnë që çdo vendim të jetë në përputhje me të drejtat dhe nevojat bazike të popullatës.