Prishtinë – Avokati Arianit Koci paralajmëron vazhdimin e protestës së tij para Kuvendit të Kosovës edhe gjatë javës së ardhshme. Ai do të qëndrojë atje ditë e natë, duke kërkuar funksionalizimin e institucioneve dhe duke kundërshtuar situatën aktuale politike.
Në një postim në Facebook, Koci bëri të ditur se do të nisë protestën të hënën, më 9 qershor, në orën 10:45 dhe se do të qëndrojë atje deri të premten, duke fjetur para ndërtesës së Kuvendit.
“Do të largohem vetëm për arsye të pashmangshme profesionale që lidhen me mbrojtjen ligjore të klientëve,” tha ai, duke shtuar se ky veprim nuk do të dobësojë protestën, por do të bëjë të qartë dallimin mes përmbushjes së përgjegjësive dhe mosveprimit institucional.
Koci kërkon funksionimin e plotë të Kuvendit dhe paralajmëron se zvarritja institucionale po dëmton besimin e qytetarëve, ekonominë dhe shtetin në përgjithësi.
Gjithashtu, ai njoftoi se gjatë kësaj jave do të mbahet një nga gjykimet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës – ajo e sulmit terrorist në Banjska, ku u vra polici Afrim Bunjaku duke mbrojtur integritetin territorial të vendit.
