Rreth 700 koala janë qëlluar dhe eutanizuar nga zyrtarët e kafshëve të egra në shtetin e Viktorias në Australi, pas zjarrit shkatërrues që përfshiu më shumë se 890 hektarë të Parkut Kombëtar Buji Bims.
Operacioni, i ndërmarrë nga ajri dhe i shoqëruar nga veterinerë, erdhi si reagim ndaj gjendjes së rëndë të kafshëve të cilat, sipas autoriteteve, kishin shanse të ulëta për mbijetesë për shkak të plagëve, thatësirës së zgjatur dhe mungesës së burimeve ushqimore.
James Todd, Zyrtari Kryesor i Biodiversitetit në qeverinë e Viktorias, tha për The Guardian se kjo masë ishte e dhimbshme por e nevojshme për të shmangur vuajtje të mëtejshme tek kafshët e prekura.
“Për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të zjarrit, shëndetit të dobët të shumë kafshëve dhe mungesës së ushqimit, shumë prej tyre do të duhet të eutanizohen”, u shpreh Todd.
Ngjarja ka ngjallur reagime të përziera, me disa grupe të mbrojtjes së kafshëve që kërkojnë transparencë më të madhe dhe zgjidhje afatgjata për ruajtjen e koalave në Australi, një specie tashmë e rrezikuar nga zhdukja.
