Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka kërkuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026.
Sipas ligjit aktual, komunat janë të obliguara që deri më 30 shtator 2025 të miratojnë buxhetet në Kuvendet Komunale dhe t’i dorëzojnë ato në Ministrinë e Financave. Por AKK ka theksuar se nga 13 shtatori nis fushata për zgjedhjet lokale, çka do të ndikojë në funksionimin normal të kuvendeve komunale.
“Shumica e anëtarëve të kuvendeve do të jenë të angazhuar në fushatë, ndaj është më e arsyeshme që buxhetet të miratohen nga kuvendet e reja, pas zgjedhjeve”, thuhet në kërkesë.
AKK vlerëson se kjo shtyrje do të lejonte që buxhetet të pasqyrojnë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur dhe të përputhen me programet e reja qeverisëse në nivel lokal.
