Një rast tronditës dhune seksuale është zbuluar në komunën e Vitisë, ku një grua rreth 32-vjeçare, me aftësi të kufizuara mendore, ka mbetur shtatzënë si pasojë e një akti të dyshuar dhunimi.
Sipas burimeve nga autoritetet, më 29 prill 2025, Spitali Gjinekologjik pranë QKUK-së në Prishtinë njoftoi Policinë pasi viktima A.J., në gjendje të rënduar psiko-fizike, ishte paraqitur për abort mjekësor. Pas vlerësimit mjekësor dhe ligjor, shtatzënia u ndërpre, ndërkohë që hetimet u iniciuan menjëherë nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.
Gjatë hetimeve, u ngritën dyshime të bazuara ndaj një 33-vjeçari me inicialet N.S., i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, e cila konsiderohet person posaçërisht i ndjeshëm për shkak të gjendjes së saj mendore.
Sot, më 1 gusht 2025, i dyshuari është arrestuar dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet janë në vijim për sigurimin e provave shtesë.
Rasti është klasifikuar si “Dhunim në rrethana veçanërisht të rënda”, dhe konsiderohet ndër rastet më serioze të dhunës seksuale që po trajtohen aktualisht nga organet e drejtësisë.
