Arrestohet i dyshuari për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në Lipjan

Para 8 muaj

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se më 12 gusht 2025, në kuadër të hetimeve për rastin e vrasjes së rëndë të Enver Bajraktarit nga Lipjani, është arrestuar një person i dyshuar me inicialet T.K. në fshatin Baicë, ku edhe u gjet trupi i pajetë i viktimës.

Sipas njoftimit për media, arrestimi u bë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përmes një urdhri kontrolli të ekzekutuar sot. Pas ndalimit dhe marrjes në pyetje, i dyshuari ka pranuar veprën penale, duke e lidhur drejtpërdrejt me vrasjen.

“I njëjti është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtutjeshme ligjore,” thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Rasti tronditi opinionin publik disa ditë më parë, kur trupi i Enver Bajraktarit u gjet i groposur në një arë në Baicë, pas raportimit të zhdukjes së tij nga familjarët.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.