Departamenti i Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i Policisë së Kosovës, ka zhvilluar një aksion ku janë prangosur tre persona.
Sipas njoftimit PK-ja, ata dyshohen për mashtrim,
“Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit policor nga Sektori i Hetimeve Financiare-DHKEK më 10.06.2025 kanë kryer bastisje në një shtëpi, pronë e të dyshuarit me iniciale (R.D.) dhe i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale Mashtrim sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet në njoftim.
Sipas organeve të rendit, lidhur me rastin ka kërkuar në shtëpitë e tyre edhe dy të dyshuar të tjerë të cilët nuk janë gjetur, por që më vonë janë paraqitur në zyrat e policisë.
“Të dyshuarit në bashkëveprim kanë mashtruar viktimat e gjinisë femërore (dhjetë prej tyre) të gjitha ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut duke ju premtuar donacion në emër të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare”, thuhet tutje në njoftim.
Viktimat janë bindur që të aplikojnë për marrjen e donacioneve në një Institucion mikrofinanciar me seli në Prishtinë duke ju prezantuar se ato do të marrin donacion, por që në realitet kanë nënshkruar kontrata për kredi në vlerë prej 4 mi mijë e 500 deri në 5 mijë euro.
I dyshuari me iniciale (R.D.) ka identifikuar viktimat dhe dërguar ato në institucionin mikrofinanciar për aplikim.
I dyshuari me iniciale (V.G.) zyrtar në institucionit mikrofinaciar ka përpiluar dosjen dhe kontratat, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.H.) ka aprovuar kreditë në cilësinë e menaxherit të këtij institucioni.
Pas daljes së mjeteve në llogaritë bankare të palëve ankuese, i dyshuari (R.D.) ka shkuar së bashku me palët në banka duke tërhequr mjete më pas të gjithave ju ka dhënë nga 500 euro, ndërsa mjete tjera i ka marrë në emër të pagesave për zyrtarët të cilët i kanë kryer shërbimet.
“Palët ankuese e kanë kuptuar mashtrimin në kohen kur institucioni mikrofinaciar ju ka kërkuar atyre fillimin e pagesave të kredisë. Deri më tani janë intervistuar 10/persona palë të dëmtuara, ku vlera e dëmit llogaritet të jetë 45 mijë euro”.
“Dy të dyshuarve me iniciale (R.D.) dhe (V.G.) me vendimin e prokurorit të lëndës nga PTH- Prishtinë ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa i dyshuari i tret me iniciale (A.H.) është liruar në procedurë të rregullt. Të gjitha veprimet, përfshirë masat e veçanta të hetimit janë kryer nën mbikëqyrje dhe koordinim të Prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe vendimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim të plotë”.
