Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Fajde” në Prizren, pas një operacioni të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Sipas policisë, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme e kishin detyruar viktimën të paguante shuma të ndryshme parash si interes për fajde dhe, përmes presioneve, kishin kërkuar që ai t’ua bartte pronësinë e një shtëpie dhe dy lokaleve në Prizren, me vlerë rreth 1 milion euro.
Të dyshuarit u arrestuan në flagrancë gjatë përpjekjes për ta detyruar viktimën të rregullonte dokumentacionin për bartjen e pronësisë. Gjatë kontrollit në banesat e tyre janë sekuestruar edhe prova materiale. Me vendim të Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit.
