Arrestohen 10 zyrtarë publikë për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare

Para 11 muaj

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Njësitin kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka ndërmarrë një aksion të gjerë hetimor, si rezultat i të cilit janë ndaluar dhjetë persona të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit janë zyrtarë publikë, për të cilët dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga kandidatët për pajisje me patentë shofer, duke u mundësuar atyre marrjen e këtij dokumenti në mënyrë të kundërligjshme.

Ndaj tyre rëndojnë disa vepra penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës:

  • Ushtrimi i ndikimit (neni 424)

  • Marrja e ryshfetit (neni 421)

  • Dhënia e ryshfetit (neni 422)

  • Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (neni 414)

Aksioni është shtrirë në tri rajone të ndryshme të Kosovës, ku janë kryer bastisje në disa lokacione. Gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar prova materiale si: armë zjarri (përfshirë kallashnikovë), armë gjahu, municion, para të gatshme, telefona celularë dhe shtëpiza kompjuterësh.

Hetimet kanë zgjatur për disa muaj dhe janë zhvilluar nën masat e fshehta të hetimit, me autorizim të prokurorit të shtetit dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, brenda afateve të përcaktuara ligjore.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar përkushtimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe veprimtarive kriminale, duke deklaruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave.