Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar publikisht se vendi i tij është armatosur fshehurazi, duke ngritur shqetësime në rajon dhe më gjerë.
Në lidhje me këtë deklaratë, eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa, komentoi në emisionin Kosova Today mbi mundësinë që ndonjë shtet tjetër i Ballkanit të ketë vepruar në të njëjtën mënyrë. Ai përjashtoi Shqipërinë nga një veprim i tillë, duke theksuar se vendet me orientim euroatlantik, veçanërisht anëtarët e NATO-s, nuk veprojnë jashtë transparencës.
“Shqipëria nuk mund të blejë armatime fshehurazi, sepse politikat e saj janë të lidhura ngushtë me NATO-n dhe mbështeten në mbrojtje kolektive. Strategjitë ushtarake nuk ndërtohen mbi baza të izoluara kombëtare, por mbi strategjinë e aleancës,” u shpreh Softa.
Ai theksoi se në rastin e Serbisë, armatosja e fshehtë nuk është thjesht një përballje me Kosovën apo Shqipërinë, por një sfidë për vetë NATO-n.
“Sipas informacioneve të disponueshme, Serbia ka siguruar armatim nga Kina dhe Rusia – pra jashtë kanaleve të zakonshme ndërkombëtare. Ndërkohë, në shtetet me politika evropiane, këto marrëveshje janë të hapura dhe transparente. Serbia është kthyer në një vend me treg kontrabande për armatime,” tha ai.
Këto zhvillime vijnë në një kohë tensionesh të shtuara në rajon, ndërsa deklaratat e Vuçiqit shtojnë shqetësimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
