Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka njoftuar se arkivi i tij është pasuruar me materiale të reja dhe të rëndësishme historike, falë kontributit vullnetar të qytetarëve dhe individëve të përkushtuar në dokumentimin e së kaluarës.
Zyrtarët e IKKL-së kanë vizituar ambientet e Radio Kukësit, ku janë pritur nga drejtues dhe dëshmitarë të periudhës së luftës, për të marrë materiale që dokumentojnë krimet e luftës. Kontribute të çmuara janë sjellë edhe nga personalitete si Jahja Lluka, i cili dhuroi disa nga botimet e tij autoriale, si dhe Hysen Ibrahimi nga Suedia, përmes librit “Abdyl Uka – hero i dëshmuar i Atdheut”.
Ndërkohë, dëshmitarë nga fshati Nepole i Pejës dorëzuan deklarata dhe fotografi që dëshmojnë krimet serbe në zonën e tyre, në prani të kryetarit të fshatit, Kriste Krasniqi. Instituti mirëpriti edhe gazetaren polake Weronika Kochan, e cila po përgatit një libër për krimet e luftës në Kosovë, si pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar për ruajtjen e së vërtetës historike.
IKKL falënderon të gjithë kontribuesit për besimin dhe përkushtimin, duke theksuar se çdo dëshmi është një hap më afër drejtësisë dhe ndriçimit të së kaluarës. Instituti fton qytetarët që të dhurojnë kujtime, fotografi apo çfarëdo materiali që ka rëndësi historike dhe ndihmon në përforcimin e memorjes kolektive.
