Arianit Koci proteston“Deputetët po na e shkatërrojnë shtetin, është koha për veprim!”

Para 10 muaj

Avokati i njohur Arianit Koci ka paralajmëruar se edhe sot do të protestojë për të 32-tën herë me radhë para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur shqetësimin e tij për situatën politike të krijuar nga mosfunksionimi i Kuvendit dhe mungesa e marrëveshjes mes deputetëve të zgjedhur.

Përmes një postimi në Facebook, Koci u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndërmarrin hapa konkretë kundër kësaj gjendjeje, duke i bojkotuar deputetët që, sipas tij, po keqpërdorin mandatin dhe po e paralizojnë shtetin.

“E dimë paraprakisht: as sot, për të 32-tën herë, deputetët nuk do të merren vesh. Një tjetër ditë e humbur. Një tjetër dëshmi se shteti po shpërbëhet – jo prej ndonjë lufte, por prej inatit dhe papërgjegjësisë”, shkruan Koci.

Ai ka theksuar se mungesa e një Parlamenti funksional ka sjellë paralizë institucionale, mungesë vendimmarrjeje dhe mungesë të llogaridhënies. Sipas tij, kjo situatë po u shkon përshtati vetëm armiqve të vendit.

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Koci bën thirrje për vetëdijesim dhe angazhim qytetar:

“Sot, së paku – një hap simbolik: t’i përcjellim me emër e mbiemër. Të dimë qartë: a janë në seancë, apo në ndonjë resort pushimi? T’ua prishim këtë të diel, sepse ata po na e prishin jetën.”

Ai paralajmëron se në takimin e 50-të të deputetëve, do të organizojë një protestë më të madhe, duke thënë se atëherë “askush nuk do të mund të fshihet më”.

“Nuk ka më justifikime. Është koha të jemi më aktivë, më të vetëdijshëm, më të zëshëm. Sepse nëse nuk e marrim ne situatën në dorë, ata nuk do të bëjnë asgjë për ta zgjidhur.”

Avokati e përfundon thirrjen e tij me një apel të drejtpërdrejtë për bojkot ndaj deputetëve, duke i cilësuar ata si “pazargjinj të vegjël me mandate të mëdha”, që nuk përfaqësojnë askënd derisa të mos formojnë Kuvendin.