Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u zhvillua seanca konstituive e Kuvendit, pas zgjedhjes së Dimal Bashës (LVV) si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Gashi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po planifikon qëllimisht bllokimin institucional të vendit.
Në një postim të publikuar sot, Gashi tha se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit u shoqërua menjëherë me veprime obstruktive nga VV, të cilat sipas tij synojnë një “bllokadë të re për muajt e ardhshëm”.
“Kuvendi duhet të zhbllokohet, institucionet duhet të themelohen sa më shpejt! Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim”, deklaroi Gashi.
Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rendin e ditës së seancës konstituive, dhe më pas u përqendrua te emërimi i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb – një hap që sipas tij u përdor për të manipuluar ndjeshmëritë politike.
“Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional”, paralajmëroi ai.
Në fund të deklaratës, Gashi theksoi se LDK do të mbetet një forcë e përgjegjshme dhe zgjidhëse e krizave politike: “LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave.”
