Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke vendosur që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për pesë vepra penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, katër prej tyre në bashkëkryerje, si dhe një vepër penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.
Me këtë vendim, Apeli konfirmoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale.Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Përmes vendimit të 23 shtatorit 2025, Apeli ka refuzuar si të pabazuara: ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Isuf Zejna, avokatit Artan Qerkini.
“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, PS.nr.111.2024, i datës 23.04.2025, ashtu që procedura penale ndaj të akuzuarit Nagip Krasniqi për katër vepra penale në bashkëkryerje, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, një vepre penale, Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së, dhe një vepre penale, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së, vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendimin Apelit, raporton BetimiperDrejtesi.
Themelorja kishte hudhur poshtë akuzën për zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj Krasniqit, rikualifikoi veprat për pikat tjera të aktakuzës
