Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Vendimi u mor të enjten dhe konfirmon qëndrimin e shkallës së parë për një nga çështjet më të diskutuara të momentit në politikën shqiptare.
Pas vendimit, Meta reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar procesin si një “telenovelë e drejtësisë me regji”, ndërsa theksoi se nuk është i zhgënjyer dhe se mezi pret të nisë gjykimi, për të “çmontuar të gjitha akuzat e fabrikuara”.
Pjesë nga reagimi i Ilir Metës:
“Asnjë zhgënjim nga telenovela ‘Drejtësi me Regji’. Falenderim për avokatin Kujtim Cakrani, që foli edhe për ata që s’dëgjojnë dhe nuk kanë integritet për të respektuar Kushtetutën e vendit e Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut,” shkruan Meta.
Ai akuzoi sistemin gjyqësor se ndodhet nën “përgjim të përhershëm të SPAK-ut”, duke e lidhur çështjen e tij me një komplot politik, që sipas tij, ka nisur prej vitit 2019, përmes dosjes së CEZ-DIA.
“As kanë pasur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë, dhe nuk kanë shans të shpikin ndonjë provë,” thekson ndër të tjera Meta, duke mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Meta gjithashtu ka lëshuar akuza ndaj qeverisë dhe drejtuesve të drejtësisë, duke i konsideruar si pjesë e një plani për të “shpopulluar Shqipërinë” dhe për të kontrolluar drejtësinë përmes presioneve dhe shantazhit politik.
Në fund të reagimit, Meta siguroi se ai dhe Partia e Lirisë do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit kombëtar.
