Analistët ndërkombëtarë paralajmërojnë për krizë në tregje pas sulmit të SHBA ndaj Iranit: Rreziku i rritjes së çmimit të naftës

Para 11 muaj

Bombardimi nga Shtetet e Bashkuara i objekteve bërthamore të Iranit ka përshkallëzuar ndjeshëm tensionin në Lindjen e Mesme dhe ka krijuar tronditje në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Analistët paralajmërojnë se ky zhvillim mund të çojë në një rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe gazit natyror, duke shtuar presionin mbi inflacionin global dhe vendimet monetare të bankave qendrore.

Sipas analizave të publikuara nga Reuters, drejtori i investimeve në Potomac River Capital, Mark Spindel, vlerësoi se “pasiguria do të mbulojë tregjet”, me ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e naftës. Ai tha se sulmi do të shtojë jo vetëm pasigurinë gjeopolitike, por edhe volatilitetin në tregjet globale.

Irani, nga ana e tij, ka paralajmëruar se rezervon “të gjitha opsionet” për të reaguar ndaj bombardimeve. Një kundërpërgjigje e mundshme, sipas analistëve, mund të jetë goditja e infrastrukturës së naftës në rajon apo bllokimi i ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon mbi 20% e furnizimit botëror me gaz natyror të lëngshëm dhe një përqindje e ngjashme e naftës së papërpunuar.

Analisti Saul Kavonic nga MST Marquee vlerësoi se nëse Irani i përgjigjet ushtarakisht sulmit, çmimi i naftës mund të kalojë pragun e 100 dollarëve për fuçi. Vetëm gjatë javës së kaluar, çmimi i naftës Brent ka shënuar një rritje prej 18%, duke arritur një maksimum prej 79,04 dollarësh për fuçi, më i larti në pesë muajt e fundit.

Edhe tregjet e gazit natyror janë ndikuar fort. Rritja e çmimeve ka nisur që para sulmit, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit. Ngushtica e Hormuzit mbetet një nyje kritike për transportin e energjisë në botë, dhe çdo bllokadë e saj do të kishte pasoja serioze, veçanërisht për Europën, e cila pas pushtimit të Ukrainës varet më shumë nga importet për të përmbushur nevojat e dimrit.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, tensionet janë reflektuar edhe në qëndrimet politike të brendshme. Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar sërish Rezervën Federale dhe kreun e saj, Jerome Powell, për mungesë të fleksibilitetit në uljen e normave të interesit. Ironikisht, zhvillimet e fundit mund të forcojnë pozicionin e Powell për të ruajtur një politikë monetare të kujdesshme dhe të pavarur.

Megjithatë, disa ekspertë shprehen se sulmi ndaj Iranit mund të çojë në një përpjekje për arritjen e paqes. Jamie Cox nga Harris Financial Group theksoi se një goditje e tillë e fuqishme ndaj kapaciteteve bërthamore të Iranit mund ta shtyjë regjimin në Teheran drejt negociatave për një marrëveshje me SHBA-në dhe Izraelin.