Ambasadori Martin Berishaj intervistohet nga Prokuroria Speciale

Para 11 muaj

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për disa vepra të rënda penale.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se Berishaj është marrë në pyetje të enjten në lidhje me dyshimet për “shpëlarje parash”, “shmangie nga tatimi” si dhe “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare”.

“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z. Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij,” ka deklaruar zëdhënësja Luta.

Lajmi është konfirmuar gjithashtu edhe nga avokati i tij, Tomë Gashi. Në një postim në Facebook, Gashi tha se klienti i tij ka dhënë një “deklaratë sqaruese” para prokurorëve.

Berishaj, i cili ka qenë nën vëzhgim për muaj me radhë nga mediat dhe institucionet e drejtësisë, mohon çdo akuzë ndaj tij, ndërsa hetimet janë ende në fazën paraprake.