Ambasadori gjerman viziton Kampin Bondsteel: “U ndjeva si në shtëpi”

Para 9 muaj

Bondsteel, Kosovë – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Kampin Bondsteel, ku bashkë me zëvendësin e tij, Christian Bottcher, u takua me trupat gjermane të angazhuara në kuadër të misionit të KFOR-it.

Gjatë vizitës, ambasadori dhe delegacioni i ambasadës u njohën nga afër me punën e përditshme të ushtarëve gjermanë, përmes një prezantimi të detajuar mbi misionet aktuale, pajisjet teknike dhe mënyrën e operimit gjatë patrullimeve dhe operacioneve në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Rohde u shpreh i impresionuar nga niveli i lartë i përgatitjes dhe profesionalizmit të trupave, duke vënë në pah përkushtimin dhe saktësinë me të cilën zbatohet mandati i KFOR-it.

“U ndjeva si në shtëpi,” deklaroi ai, duke kujtuar përvojën e tij ushtarake në Strandmeisterkompanie në Gjermani gjatë viteve ’80. Një moment veçanërisht emocional ishte për të rikthimi në drejtimin e një makinerie të njohur – ngarkuesit Ahlmann, tashmë i modernizuar.

Në një njoftim nga Ambasada Gjermane, theksohet se ambasadori vlerësoi teknologjinë e avancuar, automjetet e blinduara dhe sistemet e vëzhgimit që përdorin trupat gjermane në terren, duke theksuar “precizitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin” e tyre.

Në fund të vizitës, ambasadori Rohde falënderoi personalisht ushtarët gjermanë për shërbimin dhe kontributin e tyre në ruajtjen e sigurisë në Kosovë:

“Puna juaj është thelbësore, ekspertiza juaj mbresëlënëse dhe përkushtimi juaj thellësisht i vlerësuar,” tha ai.

Vizita nënvizoi edhe një herë angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë përmes misionit të NATO-s – KFOR.