Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar të martën me presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar situatën politike në vend.
Përmes një postimi në Facebook, ambasadori Hargreaves theksoi se bashkë me presidenten janë pajtuar se një bllokim i zgjatur politik do të ketë pasoja serioze për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“U pajtuam se pasojat e një bllokimi të vazhdueshëm politik do të jenë të rënda për Kosovën dhe popullin e saj”, shkroi ai.
Hargreaves e përgëzoi Osmanin për përpjekjet e saj për tejkalimin e krizës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe theksoi përgjegjësinë e të gjitha partive për të vendosur interesin e vendit mbi atë partiak.
Ndërkohë, presidentja Osmani deklaroi në një konferencë për media se kërkesa e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk paragjykon rezultatin dhe se ajo do të tërhiqet në rast të arritjes së marrëveshjes për konstituimin e Kuvendit.
