Ambasada Gjermane: Vendimet për dëbim dhe heqje shtetësie duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të drejtat e njeriut

Para 10 muaj

Prishtinë, Qershor 2025 – Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar pas vendimit të autoriteteve kosovare për dëbimin e katër zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët banonin në Kosovë. Në deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ambasada theksoi se vendime të ndjeshme, si ato për heqjen e shtetësisë apo dëbimin, duhet të merren në përputhje me ligjin, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Të prekurve duhet t’iu ofrohet qasje e plotë në këshilla dhe mjete ligjore,” deklaroi Ambasada Gjermane.

Ambasada gjithashtu konfirmoi se ka zhvilluar bisedime me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me këtë çështje. Ajo theksoi se po e monitoron nga afër situatën dhe zhvillimet në këto raste.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, ndërsa komuniteti ndërkombëtar thekson nevojën për respektim të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht në veprime të ndjeshme me ndikim diplomatik dhe human.