Ambasada e Kosovës në Turqi u bën thirrje qytetarëve: Tregoni kujdes pas tërmetit, jemi në dispozicion për ndihmë

Para 8 muaj

Pas tërmetit që ka goditur sot disa rajone të Turqisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka reaguar duke ofruar mbështetje për qytetarët kosovarë që jetojnë atje.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada ka publikuar numrat emergjentë të telefonit, përmes të cilëve qytetarët nga Kosova mund të kërkojnë ndihmë apo të informojnë për situatën e tyre.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, që të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të autoriteteve turke,” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Tërmeti ka shkaktuar shqetësim të madh në disa qytete, dhe autoritetet turke janë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar banorët.

Ambasada e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe është në dispozicion për çdo nevojë urgjente të qytetarëve kosovarë.