Aleanca reagon ndaj dronëve të dyshimtë: NATO rrit sigurinë në Balltik

Para 7 muaj

Aleanca e NATO-s ka njoftuar forcimin e pranisë së saj në rajonin e Balltikut, pas raportimeve për inkursione të shumta me dronë të dyshimtë mbi hapësirën ajrore dhe detare të shteteve baltike.

Misioni “Baltic Sentry”, që synon monitorimin dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike në Detin Baltik, është zgjeruar me shtim të kapaciteteve të mbikëqyrjes, inteligjencës dhe sigurisë. Pjesë e kësaj përforcimi janë edhe fregata me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore.

Shtetet anëtare të NATO-s në rajon – Estonia, Letonia dhe Lituania – kanë ngritur shqetësimin për rritjen e incidenteve ajrore të lidhura me dronë që dyshohet se vijnë nga Rusia apo aktorë të tjerë të paidentifikuar.

“Jemi të përkushtuar të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Çdo provokim apo shkelje e hapësirës sonë do të trajtohet me seriozitet të plotë,” – thuhet në deklaratën e NATO-s.

Ndërkohë, Lituania ka miratuar një ligj të ri, i cili autorizon Forcat e Armatosura që të rrëzojnë çdo dron të paautorizuar që hyn në hapësirën ajrore të vendit. Edhe Letonia ka kërkuar që aleanca të rrisë mbrojtjen ajrore në kufijtë lindorë, përballë rritjes së kërcënimeve hibride.

Misioni paralel “Eastern Sentry”, i cili mbulon edhe më gjerë kufijtë lindorë të aleancës, është gjithashtu zgjeruar për të garantuar reagim të shpejtë ndaj çdo shkeljeje ajrore apo detare në zonat kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të tensionuar gjeopolitike, ku përdorimi i dronëve për qëllime zbulimi apo ndërhyrjeje është rritur ndjeshëm në zonat kufitare të NATO-s me lindjen.