Pas dështimit të 22-të me radhë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të procesit nga partitë opozitare.
Haxhiu theksoi se qëndrimi i LVV-së për kandidatin për kryeparlamentar është i qartë dhe i pandryshueshëm.
“Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e LVV-së. E kemi thënë në vazhdimësi se të drejtën për propozim të kryetarit të Kuvendit e ka LVV. LVV është përcaktuar tashmë për këtë çështje. Ajo çfarë duhet është që deputetët të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë – qoftë për, kundër apo abstenim – por jo të vijnë në Kuvend e të mos votojnë. Shtrohet pyetja se përse po vijnë?”, u shpreh ajo.
Në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit me Nismën e Fatmir Limajt, Haxhiu tha se kjo parti shihet si një partner i mundshëm nga ana e LVV-së.
“Ne kemi theksuar që i shohim si partnerë tanë. Për këtë ka pasur disa takime. Diskutimet vazhdojnë për këtë qëllim dhe urojmë të përmbyllen sa më parë. Por, para qeverisë është Kuvendi,” theksoi ajo.
Përndryshe, seanca e sotme dështoi pasi PDK, LDK dhe AAK nuk propozuan anëtarët e tyre për Komisionin Zgjedhor, duke pamundësuar kështu votimin e fshehtë për postin e kryetarit të Kuvendit.
