Një 33-vjeçar nga Gjilani është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën dyshimet për përfshirje në krime kibernetike, përfshirë mashtrim dhe vjedhje të identitetit. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Drejtësisë e Kosovës, ndërsa ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar këtë veprim si dëshmi të qartë të përkushtimit të institucioneve për sundim të ligjit.
“Ekstradimi i një personi të shumëkërkuar për krime kibernetike, është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis. Ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo shtoi se ky është vetëm një ndër rezultatet e punës së vazhdueshme për të dëshmuar se Kosova nuk është vend ku krimi gjen strehë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të SHBA-së në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse i pandehuri, i identifikuar si Masurica, shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burgim.
Autoritetet amerikane dhe ato kosovare kanë bashkëpunuar ngushtë në këtë rast, duke e cilësuar ekstradimin si një shembull të fortë të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimeve kibernetike.
