Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris, ngjarjen ndërkombëtare vjetore që synon promovimin e bashkëpunimit global dhe qeverisjes shumëpalëshe përballë sfidave botërore.
Me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, Kurti udhëtoi dje drejt Parisit, ku përveç pjesëmarrjes në forum, do të zhvillojë edhe takime bilaterale në margjinat e tij. Mbrëmë, ai ishte i ftuar nderi në darkën e organizuar nga Qarku diplomatik i Parisit.
Në prag të forumit, Kurti zhvilloi një takim me Institutin Jacques Delors, një nga institutet më të njohura evropiane, themeluar nga arkitekti i Bashkimit Evropian, Jacques Delors.
“E shfrytëzova këtë mundësi për të theksuar nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë ndaj zgjerimit të BE-së, si çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve të tanishme gjeopolitike,” deklaroi Kurti pas takimit.
Ai tha gjithashtu se diskutoi me përfaqësuesit e institutit për investimet e Kosovës në mbrojtje, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe për lidhjen e ngushtë midis zhvillimit ekonomik dhe parimeve demokratike.
