Albin Kurti: Investimi në gratë fermere është investim në të ardhmen e Kosovës

Para 7 muaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se fuqizimi i grave në zonat rurale nuk është vetëm një çështje barazie gjinore, por një investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Këto komente Kurti i bëri sot gjatë konferencës rajonale të mbajtur në Prishtinë, me titull:

“Fuqizimi i grave rurale në Ballkanin Perëndimor: të drejtat, sfidat, fuqizimi ekonomik dhe progresi përmes CEDAW dhe raporteve të BE-së.”

“Kosova ka gra fermere vizionare, të afta dhe inovative, të cilat udhëheqin prodhimin bujqësor, krahas me procesin e digjitalizimit të produkteve dhe tregtinë elektronike,” u shpreh Kurti në fjalimin e tij.

Ai shtoi se përfshirja e grave në zhvillimin ekonomik nuk është vetëm çështje barazie, por edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një shoqëri më të begatë, demokratike dhe të qëndrueshme.

Konferenca mblodhi përfaqësues nga qeveritë e rajonit, organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile, me fokus tek të drejtat e grave rurale, sfidat me të cilat përballen, dhe rrugët për fuqizim përmes mekanizmave ndërkombëtarë si CEDAW dhe raportet e progresit të Bashkimit Evropian.