Lëvizja Vetëvendosje po përgatitet për hapin e radhës drejt formimit të Qeverisë, ndonëse Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht.
Telegrafi mëson se të dielën pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, ku do të votohet emërimi i Albin Kurtit si mandatar për kryeministër. Emri i tij do t’i dërgohet më pas presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të nisë procedurat kushtetuese.
Procesi po zhvillohet në një kohë kur konstituimi i Kuvendit është zvarritur për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Sipas Kushtetutës, mandatarit i lejohen 15 ditë për të propozuar përbërjen e Qeverisë para Kuvendit. Nëse nuk miratohet, procesi përsëritet edhe një herë – dhe në rast dështimi të dytë, shpallen zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.
