Alarm në Serbi: Radoiçiq i shfaqet qytetarëve – kërkohen masa urgjente

Para 7 muaj

– Grupi qytetar “Njerëz të Pastër për Kosjeriq të Pastër” ka bërë të ditur se sot rreth orës 13:00, në qendër të qytetit të Kosjeriqit (në distriktin e Zllatiborit), është parë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, për të cilin janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023.

Sipas raportimit të gazetës serbe “Danas”, prania e Radoiçiqit në qytet ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët, ndërsa dëshmitarë okularë pretendojnë se ai ka kërcënuar hapur persona të pranishëm në një nga lokalet hoteliere të qytetit.

Radoiçiq thuhet se ishte i shoqëruar nga roje sigurie dhe zyrtarë të pushtetit lokal, përfshirë:

  • Zharko Gjokiq, kryetarin e komunës së Kosjeriqit,
  • Dallibor Vujiq, këshilltarin e tij,
  • dhe Sllobodan Gjukiq.

Sipas deklaratës së grupit qytetar, ky delegacion ka kaluar përmes rrugës kryesore të qytetit dhe ka vizituar disa lokale, ku – sipas pretendimeve të qytetarëve – janë ngacmuar personat që më herët kishin marrë pjesë në protesta kundër autoriteteve lokale dhe republikane.

“Dëshmitarët pretendojnë se anëtarët e eskortës i kanë fyer dhe kërcënuar vazhdimisht qytetarët,” thuhet në reagimin e grupit qytetar.

Ata e cilësojnë këtë ngjarje si një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe të drejtat themelore të njeriut, duke kërkuar reagim urgjent nga organet e rendit dhe drejtësisë në Serbi. Ata kërkojnë që të gjithë pjesëmarrësit në incident, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin, të ndalohen dhe të merren në pyetje sipas ligjit.

“Nuk kemi frikë. Lufta për një Kosjeriq të lirë, të sigurt dhe të drejtë do të jetë vetëm më e vendosur dhe këmbëngulëse pas kësaj ngjarjeje,” përfundon reagimi i grupit “Njerëz të Pastër për Kosjeriq të Pastër”.