Alarm në ajër: Fluturimi i Lufthansës kthehet pas 35 minutash për shkak të tymit në kabinën e pilotit

Para 7 muaj

Një fluturim i kompanisë Lufthansa, me destinacion Danimarkën, është detyruar të kthehet vetëm 35 minuta pas ngritjes, për shkak të një incidenti serioz në bord.

Sipas raportimeve nga portali i specializuar për aviacionin “The Aviation Herald”, tym i pazakontë u shfaq në kabinën e pilotëve, duke detyruar ekuipazhin të vë në përdorim maskat e oksigjenit dhe të ndërpresë menjëherë fluturimin.

Fluturimi LH-842, i nisur nga Frankfurti në orën 22:52 me një vonesë prej rreth një ore, kishte për destinacion aeroportin Billund në Danimarkë. Avioni arriti një lartësi prej 6.700 metrash, përpara se pilotët të vendosnin të ktheheshin në aeroportin e nisjes, duke bërë një ulje të sigurt.

Sipas të dhënave të “Flightradar24”, aeroplani qëndroi vetëm 35 minuta në ajër. Si pasojë e incidentit, vetëm një person është lënduar, por detajet mbi natyrën e lëndimit nuk janë bërë publike ende.

Autoritetet e aviacionit civil pritet të hetojnë shkakun e tymit në kabinë. Deri më tani, Lufthansa nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare mbi incidentin.