Një grup aktivistësh pro-palestinezë kanë depërtuar në mënyrë të paligjshme në bazën ajrore RAF Brize Norton, duke spërkatur me bojë të kuqe dy aeroplanë ushtarakë, në një shkelje të rëndë të sigurisë kombëtare.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dy aktivistë brenda bazës në Oxfordshire, ndërsa njëri afrohet me skuter pranë një avioni Airbus Voyager, për të kryer aktin simbolik.
Ministria e Mbrojtjes e cilësoi incidentin si “shqetësues” dhe tha se po bashkëpunon me Policinë e Luginës së Thames për hetime të plota.
Kryeministri Keir Starmer e quajti aktin “të turpshëm” dhe “vandalizëm të papranueshëm”, duke theksuar se siguria e forcave të armatosura nuk do të komprometohet.
Aktivistët deklaruan se veprimi i tyre ishte një protestë ndaj mbështetjes së Britanisë për Izraelin, duke pretenduar se baza përdoret për furnizimin me karburant të avionëve që operojnë në Lindjen e Mesme, përfshirë rajonin e Gazës.
Inxhinierët e RAF janë duke vlerësuar dëmet, ndërkohë që burime të brendshme bëjnë të ditur se incidenti nuk pritet të ndikojë operacionet ushtarake.
Autoritetet britanike kanë paralajmëruar një rishikim të thellë të masave të sigurisë në të gjitha bazat ushtarake, për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
