Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, F.K. dhe N.S., të cilët akuzohen për veprën penale “Kanosja”, në lidhje me deklarata kërcënuese të drejtuara ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2023, i pandehuri F.K., përmes një postimi në profilin e tij personal në rrjetin social Facebook, ka bërë një deklaratë me përmbajtje kërcënuese, duke thënë se “më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti sesa të largohej nga Kosova”. Kërcënimi, sipas Prokurorisë, synonte frikësimin e kryeministrit në ushtrimin e funksioneve të tij zyrtare.
Pas reagimeve të opinionit publik, një ditë më vonë, më 30 gusht, F.K. ka ripërsëritur publikisht të njëjtën deklaratë, duke theksuar:
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
Në të njëjtin rast është përfshirë edhe i pandehuri N.S., i cili sipas Prokurorisë, ka bërë postime publike në Facebook ku ka kanosur me vrasje kryeministrin Kurti, duke iu referuar dhe përkrahur deklaratat e F.K.
Prokuroria e cilëson sjelljen e të pandehurve si të rrezikshme për rendin kushtetues dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, duke theksuar se liria e shprehjes nuk përfshin nxitjen e dhunës apo kërcënimet me jetë.
Rasti tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shqyrtim gjyqësor.
