Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Damka dhe Kamberaj dyshohen se gjatë periudhës nga 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore duke financuar në mënyrë të paligjshme dy organizata joqeveritare – “Germin” dhe “Caritas Zviceran” – pa organizuar thirrje publike, në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve.
Prokuroria sqaron se me këtë veprim është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm për buxhetin e Republikës së Kosovës, në vlerë prej 1,040,000 euro.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe t’u shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim efektiv me burgim.
