Aksident me fatalitet në Gjilan – humb jetën një pasagjere

Para 11 muaj

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të enjten rreth orës 16:05 në qytetin e Gjilanit, ku si pasojë ka humbur jetën një pasagjere femër.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur mes dy veturave me targa vendore, të cilat drejtoheshin nga meshkuj kosovarë.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e veturave dhe dy pasagjerë, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Për shkak të lëndimeve të rënda, drejtuesi i njërës veturë dhe një pasagjere femër u dërguan me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Fatkeqësisht, pasagjerja nuk ka arritur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.