Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak minuta pas mesnatës në autostradën A8 pranë Irschenbergut, në Gjermani. Sipas mediave gjermane dhe burimeve nga Klan Kosova, rreth orës 00:05 të mëngjesit, një autobus me 50 pasagjerë nga Kosova është përplasur me një rimorkio kamioni të ngarkuar me perime.
Kamioni, i drejtuar nga një shtetas polak 46-vjeçar, ishte në rrugë për në Munih, kur autobusi – i drejtuar nga një shtetas slloven 49-vjeçar – me sa duket nuk arriti ta dallojë në kohë rimorkion dhe u përplas në pjesën e pasme të saj.
Sipas “Rosenheim24”, autobusi mbante udhëtarë nga Kosova dhe pas përplasjes, pjesa e përparme e tij mbeti e bllokuar në kamion, duke pësuar dëme të mëdha. Rimorkioja gjithashtu u dëmtua rëndë.
Policia gjermane konfirmon se dy persona u plagosën dhe u shtruan në spital, ndërsa katër të tjerë u dërguan në klinika për kontrolle mjekësore. Shërbimet e emergjencës reaguan shpejt, duke ngritur një pikë ndihme në stacionin e zjarrfikësve të Irschenbergut, ndërsa u aktivizua edhe një helikopter shpëtimi.
Autostrada në drejtim të Munihut mbeti e mbyllur për rreth dy orë, duke shkaktuar bllokim të trafikut. Vlera e përgjithshme e dëmeve materiale llogaritet në rreth 150,000 euro.
Një autobus zëvendësues u vu në dispozicion për të transportuar pasagjerët që nuk pësuan lëndime.
