Prishtinë, 28 qershor 2025 – Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me trendin në rritje të largimit të bizneseve dhe kapitalit nga Kosova, duke e vlerësuar këtë si një rrezik serioz për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas AKB-së, vetëm gjatë vitit 2024 rreth 600 biznese kosovare janë zhvendosur në Shqipëri, ndërsa investimet e drejtpërdrejta nga Kosova atje arritën në 100 milionë euro, që paraqet një rritje prej 32% krahasuar me vitin paraprak. Totali i investimeve kosovare në Shqipëri që nga viti 2020 ka kapur vlerën 450 milionë euro.
“Bizneset po investojnë jashtë – Kosova po humb brenda,” thekson AKB në një komunikatë zyrtare.
Organizata thekson se ky trend është pasojë e drejtpërdrejtë e kushteve të pafavorshme për zhvillim brenda vendit, si mungesa e përkrahjes institucionale, pasiguria ligjore dhe procedurale, mungesa e stimujve ekonomikë për kapitalin vendor, si dhe konkurrenca jo e barabartë në tregun lokal.
AKB e konsideron këtë situatë si një alarm për institucionet e Kosovës, duke kërkuar:
- Hartimin urgjent të një Pakti Ekonomik Kombëtar, që do të përfshinte institucionet publike, sektorin privat dhe diasporën;
- Reforma strukturore për të përmirësuar klimën e investimeve në vend;
- Parandalimin e shpërndarjes së kapitalit, që mund të shkaktojë pasoja ekonomike dhe sociale afatgjata.
“Kapitali është gjaku i ekonomisë – dhe Kosova nuk mund të përparojë duke e humbur gjakun e saj afarist,” deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
