Profesori Ilir Morina ka deklaruar në “Edicioni Special” në Klan Kosova se ajri në Prishtinë, një ditë para se të përmirësohej, ka qenë ekstremisht i ndotur. Ai e cilësoi situatën shumë të rëndë, duke theksuar se pavarësisht alarmimeve ndër vite, ende nuk po merren masa të mjaftueshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Sipas pulmologëve, ndotja e ajrit nuk prek vetëm pacientët me sëmundje respiratore, por edhe personat e shëndetshëm. Morina theksoi se studime ndërkombëtare tregojnë se ajri i ndotur lidhet edhe me vdekjet e parakohshme.
Në Kosovë nuk ekziston ende një trupë e specializuar mjekësore dhe hulumtuese që të merret me këtë çështje, ndërsa gjatë muajve të dimrit rritet ndjeshëm numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim në klinikën e pulmologjisë për shkak të problemeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit.
