Aida Dërguti: Tani Tirana është lidere në Ballkan, jo më Beogradi

Para 1 vit

Opinionistja Aida Dërguti ka deklaruar se roli udhëheqës në Ballkan, që dikur i atribuohej Serbisë, tani është zhvendosur në Shqipëri. Ajo i bëri këto komente në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, duke theksuar se kjo është një zhvillim pozitiv për shqiptarët në rajon.

“Nëse kthemi prapa dhe shohim kur Edi Rama e ka marrë mandatin në vitin 2013, edhe pse nuk është thënë haptas, është nënkuptuar që lidere në këtë pjesë të Ballkanit të jetë Serbia,” u shpreh Dërguti.

Sipas saj, gjatë kohës së ish-kancelares gjermane Angela Merkel, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte shpesh i favorizuar dhe i promovuar si figurë udhëheqëse në rajon. Megjithatë, Dërguti theksoi se kjo qasje ka ndryshuar.

“Fatkeqësisht, në kohën e Merkelit është parë disi Vuçiqi si lider i vendeve që synojnë të hyjnë në BE. Por është lajm i mirë që tani ky pozicion është zhvendosur në Tiranë, gjë që është në të mirë të të gjithë shqiptarëve,” tha ajo.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur Shqipëria ka intensifikuar rolin e saj diplomatik në rajon dhe më gjerë, duke u pozicionuar si një zë i rëndësishëm në çështjet e Ballkanit Perëndimor.