Ahmeti: Rama dhe unë i treguam Kurtit shqetësimet e Perëndimit – ai s’na dëgjoi

Para 6 muaj

Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka folur për tensionet aktuale mes Prishtinës dhe Tiranës dhe përplasjet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Në një intervistë për RTSH, Ahmeti deklaroi se ai dhe Rama kanë komunikuar me partnerët ndërkombëtarë dhe ia kanë përcjellë Kurtit shqetësimet e tyre, por “nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Prishtinës”.

“Si unë ashtu edhe Rama ia kemi thënë shqetësimet e tyre Albin Kurtit. Por nuk ka pasur reagim”, tha Ahmeti. Ai shtoi se qëllimi i tyre ka qenë gjithmonë i mirë dhe në mbështetje të Kosovës.

Ahmeti apeloi për unitet në rajon, veçanërisht në Kosovë, përballë sfidave integruese drejt BE-së, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe jo përçarjes politike.