Ahmeti i përgjigjet Kurtit: Marrëveshja e Ohrit garantoi paqe dhe avancoi të drejtat e shqiptarëve

Para 13 ditë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, reagoi ndaj kritikave të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke mbrojtur rolin e BDI-së në qeverisjen e Maqedonia e Veriut. Ahmeti tha se deklaratat që minimizojnë arritjet e shqiptarëve dëmtojnë interesat kombëtare, ndërsa vlerësoi Marrëveshja e Ohrit si garanci për paqe dhe bashkëjetesë. Ai theksoi se gjatë qeverisjes së BDI-së janë avancuar të drejtat e shqiptarëve, përfshirë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe rritjen e përfaqësimit në institucione.

 

Fjala e plotë e Ali Ahmetit

“Të nderuar vëllezer e motra, sonte dua para jush të shpreh edhe një shqetësim, jo partiak, por kombëtar. Ca prej nesh në Shkup, por edhe në Prishtinë dhe Tiranë, me vetëdije ose jo, po ia bejne argatin të së keqës. Ndoshta nga mungesa e informacionit të mirëfilltë, ndoshta edhe të informuar me qellim gabimisht, ose larg qoftë edhe me agjendë partiake, po i dëmtojmë të arriturat kombëtare.

I dashur Albin,

Marreveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurthemeli edhe i planit të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës. Për këtë marrëveshje, gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo marrëveshje nuk është ideale sepse është kompromis në kohë lufte, ku të dyja palët dolën barabarësisht të pakënaqura, por zgjodhen paqen dhe bashkëjetesën.

Me këtë marrëveshje, unë e lash këtë vend me gjuhë shqipe zyrtare, me flamur kombëtar zyrtar, me tre universitete në gjuhën shqipe, me mbi 25.000 administratorë shqiptarë, me Kryeministër shqiptar, me Kryeparlamentar shqiptar e me pafund institucione shtetërore të drejtuara nga shqiptarë.

Unë e lash Presidencën duke fol shqip në çdo komunikimin, bashkë edhe me Qeverinë, Kuvendin, Komunat, Policinë dhe të gjitha institucionet shtetërore. Qeveria ime Albin, të ftoi në Shkup për mbledhje të përbashkët ku fole shqip, edhe ti, edhe ministrat e mi, nga fillimi gjer në fund.

Qeveria ime Albin e la të gatshme rrugën Shkup – Bllacë, kufirin e përbashkët me Kosovë, kalimin e kufirit me letërnjohtim, ndërtoi Korridorin 8, realizoi projektin për rrugën Tetovë – Prizren dhe ta dha ty të gatshëm para 5 viteve, bashkë me 11 marrëveshje tjera bilaterale.

Qeveria ime Albin e njohu pavarësinë e Kosovës e loboi për Kosovën. Të dashur vëllezër të mi në Kosovë, këto dhe shumë të tjera, i mundësoi Marrëveshja e Ohrit dhe ligji për gjuhët që rrjedh nga kjo Marrëveshje dhe Kushtetuta.

Mbrëmë fole që duhet respektuar vullnetin e popullit. Pajtohem, por edhe këtu të kanë informuar gabim. VLEN nuk e ka vullnetin e popullit, nuk e ka legjitimitetin e votës sepse i humbi zgjedhjet dhe hyri në Qeveri si i preferuar i VMRO-së, e jo i shqiptarëve. E kur nuk e ke vullnetin e popullit për ta përfaqësuar, bëheshhyzmeçar.

Nuk mundesh me e mbrojt gjuhën se ta heqin siç ta hoqën, flamurin ta nëpërkëmbin, administratorët ti dëbojnë nga puna, institucionet i mbyllin dyert për shqiptarët, asnjë proekt nuk e realizon dot sepse ke hyrë me përzgjedhjen e VMRO-së e jo me vullnetin e shqiptarëve.

Dhe së fundmi, Serbia ka shkel me dy këmbë në Maqedoni Albin. Ministër i Marrëveshjes së Ohrit është Ivan Stoilkoviçi, i cili sot është në Kinë, dje në Rusi, e çdo ditë në Beograd e Banja Llukë.

Ministër të gjakut të dëshmorëve, shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, e kanë bë argatin e Putinit e Vuçiçit”, tha Ahmeti.