Ministria e Punëve të Brendshme ka rikujtuar qytetarët e Kosovës se po afrohet afati i fundit për aplikim për regjistrimin e fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile, sipas Vendimit Nr. 0616/2024 të datës 21 nëntor 2024. Sipas këtij vendimi, qytetarët kanë kohë vetëm deri më 30 prill 2025 për të përfituar nga kjo e drejtë ligjore.
Ky proces u mundëson të gjithë qytetarëve që kanë regjistruar lindjen, martesën apo vdekjen në strukturat jo-legale serbe, nga data 10 qershor 1999 deri më 1 shkurt 2025, që t’i regjistrojnë këto fakte në regjistrin zyrtar të Republikës së Kosovës. Pas këtij afati, këto fakte nuk do të mund të regjistrohen më në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Nga 1 shkurt deri më 25 prill 2025, janë realizuar gjithsej 4330 regjistrime: 2159 lindje, 1108 martesa dhe 1063 vdekje. MPB thotë se vendimi po zbatohet me sukses dhe po ndërmerren hapa për të përmirësuar më tej shërbimet ndaj qytetarëve.
Po ashtu, qytetarët që kanë lindje apo vdekje pas datës 1 shkurt 2025 dhe nuk kanë dokumentacion të nevojshëm, mund të kërkojnë regjistrim përmes deklarimit në Zyrat e Gjendjes Civile të komunave përkatëse.
Ministria thekson se të gjitha kërkesat do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi dhe u bën thirrje qytetarëve të mos e humbasin këtë mundësi ligjore për të rregulluar statusin e tyre civil.
