Deputeti i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka votuar në favor të kandidatit të Listës Serbe, Slavko Simiq, për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës – pavarësisht se Hoxha është pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së.
Simiq, megjithatë, nuk arriti të zgjidhet, pasi në raundin e fundit të votimit mori vetëm 10 vota për, ndërsa 55 deputetë votuan kundër dhe 23 abstenuan.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa PDK abstenoi, ndërkohë që LDK dhe AAK nuk morën fare pjesë në votim.
Lista Serbe e propozoi Simiqin për tri herë radhazi, por në të gjitha rastet ai dështoi të marrë mbështetjen e mjaftueshme.
Në të kundërt, Emilija Rexhepi, kandidate nga komunitetet jo shumicë jo serbe, u zgjodh me 73 vota për, 1 kundër dhe 23 abstenime.
