Adam Port i cili performon sivjet në Sunny Hill Festival qëndron prapa hitit global të verës “Move”

Para 1 muaj

Adam Port është një nga emrat më të spikatur të skenës ndërkombëtare të muzikës elektronike dhe pjesë e kolektivit gjerman Keinemusik, i njohur për stilin e tij unik që ndërthur afro house, deep house dhe elemente melodike moderne. Gjatë viteve të fundit, ai është shndërruar në një figurë me ndikim të madh në klubet dhe festivalet më të rëndësishme në botë.

Suksesi i tij më i madh ndërkombëtar erdhi me këngën “Move”, një bashkëpunim me Stryv dhe vokalistin Malachiii.

E publikuar si një projekt që përfaqëson tingullin modern të afro house-it, kënga u kthye shpejt në një fenomen global. “Move” u bë një nga këngët më të dëgjuara të muzikës elektronike verore, duke fituar popullaritet të madh në platformat streaming, në setet e DJ-ve ndërkombëtarë dhe në skenat e festivaleve të mëdha.

Përtej suksesit të kësaj kënge, Adam Port vazhdon të jetë një nga artistët më të kërkuar në festivalet ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Sunny Hill Festival në Prishtinë do të mirëpresë këtë vit disa nga emrat më të njohur të muzikës elektronike. Mes tyre është edhe Adam Port, i cili do të jetë pjesë e lineup-it të festivalit, për të dhuruar spektakël për fansat e festivalit në Kosovë.