Prishtinë, 25 qershor 2025 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në një takim zyrtar Përfaqësuesin e Posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen.
Gjatë takimit, palët diskutuan rreth zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, sfidave që po e përcjellin vendin dhe nevojës urgjente për krijimin e institucioneve funksionale.
“Kryetari Abdixhiku shprehu qartë qëndrimet e LDK-së në raport me situatën aktuale, duke theksuar propozimin e partisë për krijimin e një Qeverie të Unitetit si zgjidhja më e mirë për të dalë nga kriza politike dhe për të garantuar stabilitet institucional dhe politik,” thuhet në njoftimin zyrtar të LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Temë e rëndësishme e diskutimit ishin edhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Abdixhiku shprehu shqetësimin e tij për ndikimin negativ që këto masa po kanë në rrugën evropiane të vendit dhe theksoi se është koha që BE-ja të rishikojë dhe të heqë këto sanksione, si një hap i domosdoshëm për përforcimin e orientimit euroatlantik të Kosovës.
Në fund të takimit, kryetari i LDK-së falënderoi përfaqësuesin norvegjez për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit demokratik dhe institucional.
